Secondary Adv

Kosova importoi rreth 400 mln euro ne shkurt, por eksportoi vetem 73 mln

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2023 ka pasur vlerën e vetëm 73.1 milionë euro, ndërsa importi ka shkuar në 390.6 milionë euro.

 

Tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, në muajin shkurt të këtij viti, u karakterizua me një deficit tregtar me rënie -9.2 për qind në krahasim me shkurtin e vitit 2022.

 

Shprehur në shifra, në vlerë prej 317.5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 349.5 milionë euro. Eksporti arriti të mbuloj 18.7 për qind importin i cili kishte vlerën e rreth 400 milionë euro.

 

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2023 kishte vlerën 73.1 milionë Euro, ndërsa importi 390.6 milionë Euro, që është një rritje prej 12.1% për eksport, si dhe një rënie (-5.8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”.

 

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për eksport: 20.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.2 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 14.1 për qind e përbëjnë produktet minerale,

 

13.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.0 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.

 

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 11.8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani;

 

9.9 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 9.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.4 për qind e përbëjnë produkte të industrisë kimike; 6.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

 

Gjermania llogaritet partneri kryesor në tregtinë e mallrave me BE. Eksportet e Kosovës drejt 27 vendeve të Bashkimit Evropiane arritën në 23.5 milionë euro, ose rreth 32.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 21.9 për qind.

 

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 9.3 për qind Danimarka 5.8 për qind, Italia 4.3 për qind, etj. Në anën tjetër importet nga këto vende në Kosovë ishin rreth 173.1 milionë euro, ose 44.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej -9.1 për qind.

 

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 13.0 për qind, Italia 6.6 për qind, Greqia 4.8 për qind, etj.

 

Në muajin shkurt 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 27.2 milionë euro, ose 37.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 23.5 për qind.

 

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut 14.7 për qind, Shqipëria 10.5 për qind, Serbia 6.2 për qind dhe Mali i Zi 4.6 për qind. Në anën tjetër, importi arriti vlerën e mbi 61 milionë euro.

 

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA, në muajin shkurt 2023, arritën në 61.7 milion Euro, ose 15.8% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.3%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.5%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.5%)”.

 

Në muajin shkurt Kosova pati eksporte edhe me vendet e tjera të botës, në vlerë  22.3 milionë euro, ose 30.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 11.3 për qind dhe Zvicra 8.0 për qind.

 

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 155.7 milionë euro, ose 39.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 14.7 për qind dhe Kina 10.4 për qind.

 

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] me publikimin e të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2023.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/brenda-nje-muaji-kosova-importoi-rreth-400-milione-euro-eksportoi-vec-73-milione/


Më të lexuarat